Donald Trump tha më 8 nëntor se ka “shumë pak gjasa” që Shtetet e Bashkuara të ndërmarrin sulme të reja ajrore ndaj Iranit, për sa kohë që ka përparim në procesin e paqes. Në një intervistë telefonike për CNN-in, ai tha se kjo varet nga nënshkrimi i një marrëveshjeje shumë të fortë nga negociatorët iranianë.
Trump tha se, nëse sulmet rifillojnë, forcat amerikane kanë identifikuar tashmë caqe të mundshme në infrastrukturën iraniane, përfshirë 38 ura, të cilat, sipas tij, mund të shkatërrohen brenda një ore. Në një postim të veçantë në rrjetet sociale, ai vlerësoi operacionin “Task Force Iron Gate”, i cili, sipas tij, synon të pengojë transportimin e armëve të avancuara dhe mallrave të tjera që u nënshtrohen sanksioneve përmes kufijve tokësorë të Iranit dhe Detit Kaspik.
Deklaratat vijnë ndërsa të dyja palët kryejnë sulme të herëpashershme ndaj anijeve dhe objekteve bregdetare në Ngushticën e Hormuzit dhe përreth saj. Trump pranoi se lufta me Iranin ishte një nga arsyet e humbjeve të mëdha të Partisë Republikane në zgjedhjet e mesmandatit në SHBA, javën e kaluar. Zëvendëspresidenti JD Vance, kandidat i mundshëm për ta pasuar Trumpin në zgjedhjet presidenciale të vitit 2028, tha se “arsyeja pse i humbëm [zgjedhjet], është lufta”. Trump u tha gazetarëve më 8 nëntor se shumë njerëzve nuk u pëlqyen komentet e Vanceit për Iranin.
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, një tjetër kandidat i mundshëm republikan për zgjedhjet presidenciale të vitit 2028, nuk komentoi drejtpërdrejt lidhjen mes luftës dhe rezultateve zgjedhore. Ai tha se presidenti kishte identifikuar një kërcënim real ndaj SHBA-së, që kishte ekzistuar prej kohësh, dhe kishte ndërmarrë veprime për ta trajtuar atë. Rubio tha se nuk beson që një përparim vendimtar në negociatat e paqes është afër. Sipas tij, negociatat nuk kanë qenë shumë produktive, pasi kërkesat iraniane janë të papranueshme dhe, në disa raste, të tepruara, absurde dhe jorealiste.
Trump tha se pret të takohet me presidentin rus Vladimir Putin dhe presidentin kinez Xi Jinping gjatë samitit të liderëve të Bashkëpunimit Ekonomik Azi-Paqësor (APEC), që do të mbahet në Kinë javën e ardhshme. Sipas tij, Irani do të jetë ndër temat e diskutimeve.
Tensionet dhe negociatat
Tensionet mes SHBA-së dhe Iranit janë përshkallëzuar gjatë vitit 2026, pas sulmeve amerikane dhe izraelite ndaj objektivave iraniane dhe kundërpërgjigjes së Teheranit ndaj caqeve në rajon. Në qendër të përplasjes janë programi bërthamor dhe kapacitetet ushtarake të Iranit, të cilat Uashingtoni i konsideron kërcënim për sigurinë e tij dhe të aleatëve. Irani i ka cilësuar sulmet ndaj territorit të tij si shkelje të sovranitetit.
Konflikti ka shtuar shqetësimet për sigurinë e lundrimit në Ngushticën e Hormuzit, një nga rrugët më të rëndësishme për transportin botëror të naftës. Pas një armëpushimi të përkohshëm në prill, SHBA-ja dhe Irani arritën në qershor një memorandum mirëkuptimi për të hapur rrugën drejt një marrëveshjeje përfundimtare, por zbatimi i tij ngeci dhe sulmet rifilluan.
Mosmarrëveshjet kryesore lidhen me programin bërthamor iranian, heqjen e sanksioneve amerikane dhe rihapjen e Ngushticës së Hormuzit. Teherani kërkon heqjen e bllokadës detare dhe të sanksioneve, ndërsa Uashingtoni këmbëngul që çështja bërthamore të jetë pjesë e negociatave.