Katër anëtarë të familjes shqiptare Kola humbën jetën më 5 shkurt në banesën e tyre në Porcari të Italisë. Trupat e tyre do të nisen më 11 shkurt drejt Peqinit në Shqipëri, ku do të prehen përgjithmonë.
Sipas analizave toksikologjike të mediave italiane, vdekja erdhi nga helmimi me gaz që rrjedhi nga kaldaja. Zyra e Prokurorit të Luccës ka miratuar riatdhesimin e trupave.
Bashkia Porcari ka shpallur 11 shkurtin ditë zie. Arkivolet do të bëjnë një ndalesë të shkurtër në Piazza Felice Orsi në orën 9:00 të mëngjesit, pa ceremoni zyrtare. Kryebashkiaku Leonardo Fornaciari ka njoftuar se kush dëshiron mund t'i përshëndesë aty para nisjes për udhëtimin e gjatë.
Viktimat e familjes ishin Arti Kola, bashkëshortja e tij Jonida Kola, si dhe dy fëmijët e tyre, Hajdar Kola (22 vjeç) dhe Xhesika Kola (15 vjeç). Ata u gjetën të pajetë nga forcat e policisë dhe emergjencave.