Turqia ka vendosur rregulla të reja për përdorimin e rrjeteve sociale nga të miturit, të cilat kanë hyrë në fuqi më 1 nëntor. Sipas rregullores, platformat nuk mund të hapin llogari për personat nën 15 vjeç, ndërsa profilet ekzistuese të kësaj grupmoshe do të mbyllen gradualisht pas verifikimit. Afati për verifikimin e llogarive ekzistuese është 31 marsi 2027, sipas raportimit të Anadolu Agency, të cituar nga të dyja mediat.
Verifikimi i moshës do të kryhet përmes portalit shtetëror për shërbime elektronike e-Devlet. Pas verifikimit, përdoruesit do të marrin një token dixhital, i cili u tregon platformave nëse kanë mbushur moshën 15 ose 18 vjeç, pa u dhënë atyre të dhëna personale identifikuese. Kërkesat për hapjen e llogarive që nuk plotësojnë kushtin e moshës do të refuzohen.
Rregullat vlejnë edhe për adoleshentët nga 15 deri në 18 vjeç, të cilët mund t’i përdorin rrjetet sociale me kufizime. Profilet e tyre duhet të jenë private dhe ata mund të marrin mesazhe vetëm nga llogaritë që ndjekin. Transmetimet e drejtpërdrejta dhe reklamat e personalizuara do të ndalohen për këtë grupmoshë.
Platformat duhet gjithashtu të ofrojnë mjete shtesë të kontrollit prindëror, përfshirë mundësinë për të kufizuar kohën e kaluar në internet. Rregullorja kërkon masa të posaçme mbrojtëse për të miturit dhe sisteme verifikimi të moshës, me theks te mbrojtja e të dhënave personale të përdoruesve.
Rregullorja u përgatit brenda Drejtorisë Turke për Sigurinë Kibernetike dhe u botua në gazetën zyrtare më 10 tetor.