Klubi i futbollit FC Ballkani është sanksionuar nga UEFA për shkak të mosrespektimit të detyrimeve financiare dhe vonesave në shlyerjen e borxheve. Përveç gjobës financiare prej 200 mijë eurosh, organi kompetent i UEFA-s ka vendosur edhe një masë pezulluese për pjesëmarrjen e klubit në garat evropiane. Kjo masë do të jetë në fuqi për një periudhë prove dyvjeçare dhe do të zbatohet vetëm në rast se klubi regjistron shkelje të ngjashme gjatë sezoneve 2026/27 dhe 2027/28.
Në të njëjtin njoftim, CFCB ka bërë të ditur edhe listën e klubeve të tjera të gjobitura për parregullsi financiare:
• CFR 1907 Cluj (Rumani) – 200,000 €
• FK Buduçnost Podgorica (Mali i Zi) – 95,000 €
• FC Ordabasy Shymkent (Kazakistan) – 75,000 €
• FK Sarajevo (Bosnjë-Hercegovinë) – 20,000 €
• Athletic Bilbao (Spanjë) – 10,000 €
Vendimi vjen pas konstatimit se klubi suharekas ka pasur vonesa në pagesa që kanë tejkaluar afatin prej 90 ditësh, duke nxitur ndërmarrjen e këtyre masave disiplinore nga organi financiar i UEFA-s.
Përditësime
UEFA ka detajuar sanksionet financiare për klubet, duke sqaruar se shkeljet për periudhën 2025/26 lidhen me pagesat e prapambetura ndaj punonjësve, autoriteteve tatimore dhe atyre sociale. Krahas gjobës prej 200 mijë eurosh ndaj FC Ballkanit, UEFA ka përjashtuar Dinamo Batumin nga të gjitha kompeticionet evropiane për shkelje të ngjashme.