Mykhailo Fedorov, ministri ukrainas i Mbrojtjes, falënderoi sot Elon Musk dhe kompaninë SpaceX për masat e marra që pengojnë Rusinë të përdorë sistemin satelitor Starlink për drejtimin e dronëve mbi territorin e Ukrainës.
Në platformën X, Fedorov shkroi: “Masat e para tashmë po japin rezultate. Faleminderit që jeni në krahun tonë. Ju jeni një mbështetës i vërtetë i lirisë dhe një mik i popullit ukrainas”.
Reagimi erdhi pas postimit të Musk, i cili deklaroi se masat për ndalimin e përdorimit të paautorizuar të Starlink nga Rusia duket se kanë funksionuar dhe kërkoi nga Ukraina të njoftojë për hapa të tjerë të nevojshëm.
Bashkëpunimi dhe masat e reja
Fedorov bëri të ditur se Kievi bashkëpunon shumë ngushtë me SpaceX. Në ditët në vijim do të zbatohen masa shtesë, midis të cilave sistemi i regjistrimit dhe verifikimit për të gjithë terminalët Starlink në Ukrainë. “Së shpejti do t’u dërgojmë përdoruesve udhëzimet e nevojshme. Terminalët e paverifikuar do të çaktivizohen”, theksoi ai.
Sfondi i ngjarjes
Më 29 janar, autoritetet ukrainase kishin kontaktuar SpaceX pas zbulimit të dronëve rusë që përdornin lidhje Starlink mbi qytete ukrainase. Sipas Institutit për Studimin e Luftës (ISW), që nga fundi i dhjetorit Rusia ka integruar Starlink në dronët sulmues, duke rritur rrezen e tyre veprimi deri në 500 kilometra.
Shërbimet ukrainase të inteligjencës thonë se ushtria ruse ka siguruar terminalët përmes kanaleve paralele dhe importeve nga vende të treta, jo nga shitje zyrtare të SpaceX.
Një ndërprerje e përgjithshme e Starlink në Ukrainë do të ishte problematike, pasi sistemi përdoret gjerësisht nga ushtria ukrainase për komunikime. Fedorov theksoi se teknologjia perëndimore duhet të ndihmojë botën demokratike dhe të mbrojë civilët.
Përditësime
Rusia sulmoi me dronë një tren civil pranë Kharkivit, rreth 50 km nga fronti, duke lënë 5 të vdekur dhe të plagosur. Presidenti Zelenskyy e dënoi sulmin si akt terrorizmi.
- Kritika publike ndaj Elon Musk për mosbllokimin e Starlink-ut për rusët pas sulmit.
- Musk u përgjigj se Starlink mbetet shtylla kryesore e komunikimit ukrainas dhe bllokimi nuk është i thjeshtë.
- ISW (sipas The Welt): Rusia pajis dronët me antena Starlink për transmetim video në distanca qindra ose mijëra km.
Mykhailo Fedorov theksoi se vendimi i Elon Musk për të aktivizuar urgjentisht Starlink dhe për të dërguar stacionet e para në Ukrainë në fillim të pushtimit rus ishte thelbësor për qëndrueshmërinë e vendit.
Ushtria ukrainase përdor dhjetëra mijëra terminale Starlink për komunikim dhe pilotim dronësh.