Ukraina po përballet me periudhën më të rëndë për popullsinë civile që nga fillimi i pushtimit rus në vitin 2022. Sipas të dhënave të autoriteteve ukrainase, muaji korrik ka shënuar të paktën 377 civilë të vrarë dhe 2,129 të plagosur si pasojë e intensifikimit të sulmeve të Moskës në të gjithë territorin e vendit.
Kryeqyteti Kiev ka qenë objektiv i vazhdueshëm i bombardimeve, të cilat janë kryer përmes përdorimit të raketave balistike, dronëve dhe bombave ajrore të drejtuara. Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky bëri të ditur se përshkallëzimi është i ndjeshëm, ku vetëm gjatë javës së fundit janë regjistruar rreth 1,700 dronë, mbi 1,630 bomba ajrore të drejtuara dhe më shumë se 50 raketa balistike të lëshuara nga forcat ruse. Përballë kësaj situate, kreu i shtetit ukrainas u ka bërë sërish thirrje partnerëve perëndimorë për sigurimin e shtesë të sistemeve të mbrojtjes ajrore Patriot, duke i cilësuar ato thelbësore për mbrojtjen e popullsisë.
Ndërkohë, dinamika e konfliktit vijon edhe në fronte të tjera. Ukraina ka ndërmarrë goditje të drejtuara ndaj infrastrukturës energjetike ruse, ndërsa pala ruse ka shtuar bombardimet ndaj porteve dhe objekteve të karburantit në Ukrainë.
Në një zhvillim paralel, forcat ajrore rumune kanë rrëzuar një dron rus mbi Detin e Zi për të tretën ditë radhazi. Presidenti i Rumanisë, Nicușor Dan, e ka cilësuar këtë shkelje të hapësirës ajrore si “të papranueshme”.