Uran Ismaili ka bërë të ditur se është konstituuar Komisioni për Shëndetësi i Kuvendit të Kosovës, të cilin do ta drejtojë gjatë kësaj legjislature. Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe ish-ministri i Shëndetësisë tha se e merr këtë përgjegjësi me përkushtim.
Ismaili tha se çdo qytetar meriton kujdes shëndetësor në kohë, të sigurt dhe cilësor, si dhe mbrojtje nga shpenzimet e larta që paguhen nga xhepi. Ai vlerësoi se vëmendja institucionale ndaj shëndetësisë ka rënë, ndërsa nevojat e qytetarëve mbeten të mëdha.
Ai tha se do të angazhohet që shëndetësia të rikthehet ndër prioritetet e vendit, përmes veprimeve konkrete, investimeve të planifikuara mirë dhe përgjegjësisë për rezultatet. Sipas tij, suksesi duhet të matet edhe me faktin nëse qytetari e merr shërbimin e nevojshëm në kohën e duhur, me cilësi dhe dinjitet.
Komisioni, tha Ismaili, do të dëgjojë pacientët dhe profesionistët shëndetësorë, do të mbikëqyrë punën e institucioneve përkatëse dhe do të shtyjë përpara zgjidhje për përmirësimin e kujdesit ndaj qytetarëve dhe të kushteve të punës për punonjësit shëndetësorë.
Ismaili rikujtoi se gjatë kohës kur ishte ministër i Shëndetësisë kishte nisur reforma me pacientin në qendër, me synimin për të krijuar shërbime publike shëndetësore funksionale dhe të besueshme.