Ish-kryesuesja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valdete Daka, vlerësoi se pozicionimi i partive politike pas zgjedhjeve të parakohshme të 7 qershorit tregon se vendi po shkon drejt një procesi të ri zgjedhor. Sipas saj, mungesa e dialogut nga ana e partisë së parë është treguesi kryesor i kësaj krize.
"Jemi duke shkuar asaj rruge, për faktin se bisedime nuk ka. Është shumë e qartë se ne përsëri jemi duke shkuar drejt zgjedhjeve. Partia në pushtet është e vetmja që i ka letrat në dorë dhe duhet të japë sinjalin e parë për zgjidhjen e krizës", u shpreh Daka në një intervistë për emisionin "Kosova Today".
Analiza e saj tregon se nuk ka pasur lëvizje të mëdha të votave, përveç një rritjeje të lehtë të LDK-së, ndërsa partitë e tjera kanë ruajtur pozicionet e tyre. Daka vuri në dukje se numri prej 150 mijë qytetarësh që nuk morën pjesë në votim, krahasuar me procesin e 28 dhjetorit, i përket kryesisht elektoratit që kishte votuar për partinë në pushtet. Ajo theksoi se, edhe në rast të mbajtjes së zgjedhjeve të reja, aktualisht nuk ka indikacione për ndryshime të theksuara elektorale.