Gjatë mbledhjes së zhvilluar këtë të martë, Këshilli i Ministrave miratoi emërimin e Valdrin Pjetrit si Drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë së Trajtimit të Pronave (ATP). Me këtë vendim, Pjetri merr drejtimin e institucionit përgjegjës për proceset e njohjes, kthimit dhe kompensimit të pronave, duke zëvendësuar Benard Palajn, i cili u shkarkua vetëm pak muaj pas emërimit.
Valdrin Pjetri ka një karrierë të gjatë në administratën publike. Ai ka mbajtur detyra të rëndësishme, si:
- Administrator në Ministrinë e Financave (2010-2014);
- Drejtor i Përgjithshëm në Ministrinë e Mbrojtjes (2014-2017);
- Drejtor i Hipotekës së Tiranës (2018);
- Kryeregjistrues dhe Prefekt i Qarkut Shkodër (2019);
- Administrator i AMI pranë Fondit Shqiptar të Zhvillimit (FSHZH) (prej vitit 2022).
Në vitin 2019, Pjetri ishte kandidat i Partisë Socialiste për Bashkinë e Shkodrës. Sa i përket formimit akademik, ai ka përfunduar studimet e larta në Financë-Kontabilitet dhe zotëron një master të nivelit të dytë në Lidership.