Mesfushori i Kosovës, Valon Berisha, ka qenë protagonist kryesor në fitoren e Zurichut me rezultatin 2:1 ndaj Servette, në ndeshjen e vlefshme për xhiron e dytë të Superligës zvicerane. Berisha realizoi golin e parë të takimit në minutën e 35-të, përmes një ekzekutimi nga goditja e lirë që përfundoi në cepin e rrjetës, duke shtangur portierin kundërshtar.
Pas përfundimit të ndeshjes, Berisha shpjegoi për mediat zvicerane se goli nuk ishte rezultat i një tentative direkte drejt portës, por i një harkimi që mori trajektoren e padëshiruar për portierin. "Kjo është pyetja e ditës, apo jo? Jo, thjesht doja të harkoja dhe pastaj topi fluturoi për në rrjetë. Sigurisht jam shumë i lumtur, por më i lumtur me këtë fitore të luftuar", deklaroi mesfushori. Ai shtoi se ndihet mirë me përgjegjësitë që ka marrë te Zurichu dhe vlerësoi se skuadra është në rrugën e duhur për t'u përmirësuar më tej.
Në këtë përballje, përveç Valon Berishës, kontribut për Zurichun dhanë edhe lojtarët e tjerë shqiptarë: Selmin Hoxha, Lindrit Kamberi dhe Bledian Krasniqi, të cilët e kompletuan takimin. Nga ana tjetër, te Servette, portieri Leo Besson mbeti në stol.
Kapiteni i Zurichut, Lindrit Kamberi, u shpreh i kënaqur me angazhimin e treguar, duke e cilësuar fitoren si të merituar pas paraqitjes së mëparshme ndaj St. Gallen. "Dhamë gjithçka. Fitore tepër e rëndësishme për moralin tonë. Kur merr tre pikë, atëherë i meriton", tha Kamberi pas ndeshjes.