Në Dhomat e Specializuara të Kosovës, me seli në Hagë, sot vazhdon dita e dytë e deklaratave përmbyllëse në gjykimin ndaj ish-zyrtarëve të lartë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës: Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Zyra e Prokurorit të Specializuar ka njoftuar se prokurorët do të shpalosin përgjegjësitë penale të të akuzuarve në më pak se dy orë, ndërsa në fund prokurorja Kimberly West do të mbajë fjalën përmbledhëse.
Gjatë ditës së parë, prokurorja West bëri të ditur se Zyra e Prokurorit kërkon nga 45 vjet burgim për secilin të akuzuar, ose gjithsej 180 vjet burgim. Prokurori Nathan Quick theksoi se Adem Demaçi kishte rol të kufizuar në krijimin e institucioneve, por ishte vartës i Hashim Thaçit. Ai shtoi se Kadri Veseli, krahas rolit politik, ushtronte funksionin e shefit të shërbimit informativ.
Në ditën e parë, prokurorët trajtuan rolin e të katër të akuzuarve në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, duke e paraqitur atë si strukturë me hierarki të qartë.
Përmbajtja e aktakuzës
Sipas aktakuzës, krimet pretendohet se u kryen prej marsit 1998 deri në shtator 1999 në disa vendndodhje në Kosovë, si dhe në Kukës dhe Cahan të Shqipërisë.
Kronologjia e gjykimit
- Më 15 dhjetor 2022, Gjykatësi i Procedurës Paraprake ia kaloi dosjen Trupit Gjykues II.
- Gjykimi filloi më 3 prill 2023 me deklaratat hyrëse të Prokurorit dhe përfaqësuesit të viktimave, ndjekur nga mbrojtja më 4 dhe 5 prill 2023.
- Më 15 prill 2025, Zyra e Prokurorit të Specializuar mbylli çështjen e saj.
- Më 16 korrik 2025, Trupi Gjykues hodhi poshtë mocionin e përbashkët të mbrojtjes për rrëzimin e akuzave në bazë të rregullit 130 të Rregullores.
Përditësime
Prokuroria deklaroi se të akuzuarit kishin rol kolektiv të fortë si anëtarë kryesorë të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së. Në këto role, ata ndanin qëllimin e përbashkët kriminal, koordinonin veprimet dhe i mohuan krimet për të mashtruar bashkësinë ndërkombëtare. Hashim Thaçi përshkruhet si një nga themeluesit e UÇK-së, sipas deklaratave të Azem Sylës.