Pas largimit të Amir Rrahmanit, i cili mbajti shiritin e kapitenit për shtatë vite, Përfaqësuesja e Kosovës ka ndryshuar zyrtarisht hierarkinë e saj udhëheqëse. Trajneri Franco Foda ka vendosur që detyrën e kapitenit t'ia besojë Vedat Muriqit. Sulmuesi 32-vjeçar i Fenerbahçes është golashënuesi më i mirë në historinë e ekipit kombëtar me 32 gola të shënuar në 68 paraqitje.
Vedat Muriqi, i njohur edhe me nofkën "Pirati", e ka mbajtur shiritin e kapitenit në të kaluarën në tetë ndeshje, në mungesë të Amir Rrahmanit. Ky ndryshim shënon fillimin e një kapitulli të ri për "Dardanët", të cilët do të përballen me një orar të ngjeshur prej katër ndeshjesh në Ligën e Kombeve brenda dhjetë ditësh.
Në hierarkinë e re të ekipit, pas Muriqit, pritet të jenë:
• Mërgim Vojvoda, i cili me 75 paraqitje është lojtari me më shumë ndeshje për Kosovën dhe shihet si kapiteni i dytë.
• Milot Rashica, 30-vjeçar, me 64 ndeshje dhe 12 gola të shënuar, i cili konsiderohet gjithashtu ndër figurat me përvojë të skuadrës.
Ndryshimet në grup vijnë në një periudhë me lëvizje të ndjeshme, pasi përveç Rrahmanit, Florent Hadërgjonaj ka pezulluar angazhimin, ndërsa Fidan Aliti dhe Valon Berisha janë aktualisht të pezulluar. Muriqi, Vojvoda dhe Rashica janë aktualisht të vetmit lojtarë mbi 30 vjeç në tubimin aktual të ekipit kombëtar.