Agim Veliu, ish-nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), ka reaguar me kritika të ashpra ndaj kryetarit të partisë, Lumir Abdixhiku, pas Kuvendit të mbajtur të shtunën.
Në këtë Kuvend, 164 delegatë votuan kundër dorëheqjes së Abdixhiku-s, ndërsa 136 të tjerë votuan për. Votimi u zhvillua në mënyrë të fshehtë me pjesëmarrjen e 300 delegatëve, duke i mundësuar Abdixhiku-s të vazhdojë në krye të partisë.
Në një postim në Facebook, Veliu shkroi se "asnjë kryetar, asnjë kryesi, as Këshilli i Përgjithshëm dhe as Kuvendi nuk është mbi vullnetin e anëtarëve të LDK-së. Pas humbjes së thellë të zgjedhjeve nuk shpëtohet duke u kapur pas strukturave të kontrolluara, por duke dëgjuar zërin e bazës. LDK nuk është pronë personale, as e një rrethi të ngushtë. Ajo u përket anëtarëve që e kanë ndërtuar, e kanë mbajtur dhe vazhdojnë ta mbajnë".
Ai shtoi se "historia e ka treguar se ata që i presin rrënjët, çajnë themelin, e ngatërrojnë rrugën dhe e shndërrojnë shtëpinë e përbashkët në strehë personale, nuk mbahen mend si kryetarë, por si i fundit që del prej saj. Zoti e ruajt LDK-në!".
LDK në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit mori 13.24 për qind të votave, duke shënuar rënie të madhe krahasuar me rezultatin e zgjedhjeve të shkurtit të vitit të kaluar.