Komisioni i Disiplinës dhe Etikës pranë Federatës Shqiptare të Futbollit shpalli sot vendimet në lidhje me incidentet e regjistruara në javën e dytë të Superiores, veçanërisht në përballjen mes AF Elbasanit dhe KF Vllaznia.
Presidenti i klubit shkodran, Alban Xhaferi, është dënuar me 15 ndeshje pezullim për sulm ndaj zyrtarëve të ndeshjes. Përveç këtij pezullimi, bazuar në nenin 6/2/c të Kodit të Disiplinës dhe Etikës, atij i ndalohet hyrja në çdo stadium ku zhvillohen veprimtari sportive të organizuara nga FSHF deri në përfundimin e dënimit.
Masat disiplinore përfshijnë gjithashtu trajnerin Edi Martini, i cili u pezullua me 6 ndeshje për shkelje të rregullave të sjelljes dhe sjellje josportive ndaj zyrtarëve, si dhe zyrtarin tjetër të klubit, Elis Dervishaj, i cili u dënua me 4 ndeshje për sjellje josportive. Në total, këta tre zyrtarë të Vllaznisë grumbullojnë 25 ndeshje pezullim.
AF Elbasani është gjobitur për mospërmbushje të përgjegjësive në lidhje me rendin dhe sigurinë gjatë ndeshjes. Ndërkohë, trajneri i Dinamo City, Ilir Daja, u dënua me 2 ndeshje pezullim për protesta ndaj vendimeve të arbitrave në ndeshjen kundër Skënderbeut.
Komisioni pranoi kërkesën e lojtarit të Partizanit, Human Lancaster Rowan, për konvertimin e pjesës së mbetur të dënimit, ndërsa rrëzoi kërkesat e KF Delvina, Brajan Selmanit dhe Bruno Telushit. Palët e interesuara kanë të drejtë të ankimojnë këto vendime pranë Komisionit të Apelit brenda 3 ditësh.
Përditësime
Hetimet zbardhën detaje të reja mbi incidentin në tunelin e stadiumit. Zyrtari i goditur nga presidenti i Vllaznisë, Alban Xhaferi, është identifikuar si asistenti i dytë Ergys Spahiu. Sipas dinamikës së raportuar, ndërhyrja e forcave të sigurisë ndaloi përshkallëzimin e mëtejshëm të konfliktit. Komisioni i Disiplinës dhe Etikës saktësoi se gjoba ndaj AF Elbasanit është 1 milion lekë. Ndërkohë, Alban Xhaferi ka kërkuar falje publike dhe ka propozuar krijimin e një organi të përbashkët për mbikëqyrjen e arbitrave.
Komisioni i Disiplinës ka miratuar kërkesën e presidentit të Vllaznisë, Alban Xhaferi, për konvertimin e pjesës së mbetur të dënimit në gjobë financiare prej 700 mijë lekësh. Ky vendim i hap rrugën rikthimit të Xhaferit në stadium për javën e 11-të, në ndeshjen kundër AF Elbasanit në muajin nëntor. Ndërkohë, KF Tirana është sanksionuar me 2 ndeshje pa tifozë, si pasojë e trazirave të regjistruara gjatë sezonit të kaluar.