Vendimi i Këshillit të Ministrave, i miratuar javën e kaluar me propozim të Ministrisë së Brendshme dhe i firmosur nga kryeministri Edi Rama, u publikua të enjten në Fletoren Zyrtare. Ai parashikon krijimin e një regjistri të posaçëm elektronik për personat që Policia e Shtetit ka referuar në prokurori për vepra penale kundër autoritetit shtetëror, rendit dhe sigurisë publike, të dyshuara se janë kryer gjatë tubimeve.
Regjistri do të administrohet nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit dhe do të përmbajë të dhëna personale e procedurale për personat e identifikuar në materialet e referuara në prokurori. Në të do të përfshihen persona për të cilët dyshohet se kanë kryer gjatë tubimeve veprime të dhunshme kundër jetës, shëndetit ose pronës publike e private. Regjistri do të ndërveprojë me Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile dhe sistemin policor “ADAM”, duke krijuar një profil me të dhëna për secilin person të përfshirë.
Vendimi i jep Policisë Kufitare të drejtën të refuzojë administrativisht daljen nga Shqipëria kur verifikimet evidentojnë se personi është në regjistër, edhe nëse gjykata nuk ka vendosur masë sigurimi për ndalimin e largimit jashtë shtetit. Nëse personit i lejohet të udhëtojë, autoritetet kufitare duhet të njoftojnë autoritetet e vendit ku ai do të shkojë për referimin e tij në prokurori.
Një dispozitë tjetër ngarkon Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit të njoftojë personat fizikë dhe juridikë privatë që administrojnë struktura akomoduese, përfshirë hotele dhe bujtina, për personat e regjistruar dhe faktin se materialet ndaj tyre janë referuar në prokurori. Sipas raportimit të Ora News, kjo zgjeron rrethin e subjekteve që mund të marrin informacion për dyshimet penale ndaj qytetarëve përtej institucioneve të drejtësisë dhe organeve ligjzbatuese.
Dy juristë të intervistuar nga BIRN e cilësojnë mekanizmin në kundërshtim me Kushtetutën dhe Kodin e Procedurës Penale. Sipas tyre, ai mund të krijojë një formë ndëshkimi administrativ mbi bazën e dyshimeve policore, përpara shqyrtimit nga drejtësia, dhe të kufizojë lirinë e lëvizjes. Avokati Julian Mërtiri tha për BIRN se zbatimi i vendimit mund të ketë pasoja të rënda për njerëzit, pasi mungon kontrolli gjyqësor.
Sipas Ora News, vendimi vjen pas një vale protestash masive kundër qeverisë së Edi Ramës, të shoqëruara me përplasje të dhunshme mes protestuesve dhe policisë, përdorim force dhe arrestime të shumta.