Në Kosovë, me rreth 1.5 milionë banorë dhe pa marrëdhënie diplomatike me Kinën, janë regjistruar 448 biznese me kapital kinez nga viti 2000 deri në 2025, sipas të dhënave të Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve. Vetëm 13 prej tyre janë aktive, 396 pasive dhe 39 të shuara.
Bizneset kineze përqendrohen kryesisht në tregtinë me shumicë dhe pakicë, gastronominë, akomodimin, industrinë nxjerrëse si xehetarinë dhe gurthyesit, si dhe fushën e informacionit dhe komunikimit. Bizneset pasive nuk kanë përditësuar të dhënat dhe nuk kanë tërhequr certifikatën me numër unik identifikues.
Numri më i lartë i regjistrimeve u shënua në periudhën 2004-2009. Pas kësaj, interesi ka rënë, me mesatarisht deri në tre biznese kineze në vit nga 2011 e tutje.
Një verifikim në terren nga Radio Evropa e Lirë nxjerr në pah se nga 13 bizneset aktive, 10 rezultuan të paqasshme në telefon. Vetëm tre konfirmuan operimin: një restorant në Prishtinë, një biznes për shitjen e pajisjeve teknologjike dhe një kompani në sektorin e gurthyesve.
Përfaqësuesit e këtyre bizneseve, në kushte anonimiteti, thanë se bashkëpunimi me aksionarë kinezë lidhet me iniciativa individuale, jo me ndonjë strategji të gjerë investimi.