Moszgjedhja e kreut të ri të shtetit në Kosovë shtoi paqëndrueshmërinë institucionale në vend këtë vit, duke nxitur zgjedhje të reja parlamentare pas një viti të humbur më 2025.
Zgjedhjet e parakohshme do të mbahen më 7 qershor. Ky jostabilitet mund të thellohet në mungesë të kandidatëve të qartë për postin e presidentit dhe të pagatishmërisë së partive politike për të bërë lëshime. Presidenti nuk zgjidhet drejtpërdrejt nga qytetarët, por përmes konsensusi politik në Kuvend.
Ndër partitë kryesore, vetëm Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) në opozitë ka bërë të ditur emrin e kandidatit. Bartësja e listës së saj zgjedhore, Vjosa Osmani, do të jetë kandidate për presidente në kuadër të një bashkëpunimi parazgjedhor. Ajo kërkon një mandat të dytë në krye të shtetit pas dështimit për t’u rikandiduar në prill.
Lëvizja Vetëvendosje (LVV) në pushtet, e udhëhequr nga kryeministri në detyrë Albin Kurti, dhe partia kryesore opozitare Partia Demokratike e Kosovës (PDK) nuk kanë paraqitur ende kandidatë. Të dyja nuk iu përgjigjën pyetjeve të Radios Evropa e Lirë (REL) nëse do ta bëjnë një gjë të tillë.
Partitë nuk janë të detyruara ligjërisht ta bëjnë këtë para zgjedhjeve, por analisti Agon Maliqi, njohës i çështjeve politike, sugjeron që ato të zotoheshin së paku për karakteristikat e profilit të kandidatit ose parimet për konsensus. “Duhet t’i sqarojnë saktë rrethanat në të cilat ata do të ishin dakord për një president, dhe cilat karakteristika duhet t’i ketë ai president, në mënyrë që të shmangen sërish zgjedhjet. Në bazë të këtij zotimi pastaj mund të kërkohet llogaridhënie prej tyre pas zgjedhjeve”, shprehet Maliqi për REL.
Kjo qasje do të siguronte më shumë transparencë para zgjedhjeve dhe më pak improvizim pas tyre.