Publicisti Veton Surroi ka publikuar një sërë sugjerimesh lidhur me proceset institucionale pas zgjedhjeve parlamentare të 7 qershorit. Sipas tij, mandati për krijimin e qeverisë i takon Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), ndërsa zgjedhja e presidentit është një përgjegjësi kushtetuese që kërkon bashkëpunim të gjerë politik.
Surroi vlerësoi se është e papranueshme që zgjedhja e Presidentit të trajtohet si vazhdimësi e negociatave për ndarjen e pushtetit qeveritar. Ai sqaroi se kompetencat e presidentit ndryshojnë nga ato të qeverisë, duke shtuar se kreu i shtetit nuk ka rol në politikat energjetike, ndërtimin e autostradave, nivelin e tatimeve apo shpërndarjen buxhetore.
“Asnjë subjekt politik nuk ka mandat që ta zgjedhë i vetëm presidentin e Republikës dhe njëkohësisht, asnjë subjekt politik nuk duhet ta përdorë peshën e vet parlamentare për të pamundësuar funksionimin kushtetues të institucioneve”, deklaroi Surroi.
Sa i përket kushtëzimeve nga subjektet opozitare, ai sugjeroi se këto kërkesa duhet të reflektojnë rolin e presidentit si faktor uniteti, duke siguruar përfshirjen e opozitës në çështje të interesit shtetëror, në përputhje me kompetencat që ia njeh Kushtetuta.