Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, zhvilloi sot një vizitë zyrtare në Tiranë në kuadër të turit të saj në Ballkanin Perëndimor. Ajo u prit nga kryeministri Edi Rama në një takim ku u diskutua mbi ecurinë e integrimit europian dhe prezantimin e udhërrëfyesit për Shqipërinë, Malin e Zi, Moldavinë dhe Ukrainën. Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp, Edi Rama njoftoi se procesi i integrimit ka hyrë zyrtarisht në fazën e mbylljes së kapitujve. Gjithashtu, kreu i qeverisë deklaroi se në ditët në vijim do të publikohet transparenca e plotë e dokumenteve për një projekt të shumëdiskutuar, pas përfundimit të studimit mjedisor. Pas takimit në selinë e qeverisë, Ursula von der Leyen vijoi agjendën me presidentin Bajram Begaj.
Paralelisht me vizitën zyrtare, një grup aktivistësh dhe qytetarësh u mblodhën në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” për të protestuar kundër qeverisë. Për shkak të masave të sigurisë, Policia e Shtetit vendosi barriera metalike dhe një kordon sigurie, duke ndaluar afrimin e protestuesve te godina e Kryeministrisë. Gjatë përplasjeve verbale dhe tentativave për të kaluar perimetrin, Policia e Shtetit shoqëroi një person, ndërsa pas masave të shtuara, protestuesit janë shpërndarë në grupe të ndryshme përgjatë bulevardit.
Aktivistja Sidorela Vatnikaj deklaroi se protesta synon t’i dërgojë një mesazh përfaqësuesve të Bashkimit Europian. Ajo theksoi se protestuesit kanë 122 ditë që shprehin pakënaqësitë e tyre dhe kritikoi praninë e shtuar të forcave të rendit, duke e cilësuar situatën si një kufizim të ngjashëm me kushtet e një burgu. Gjatë tubimit, qytetarët lëshuan thirrje si “Arrestoni Ramën”, “Polici e krimit” dhe “Polici e Gysit”, ndërsa zona u mbikëqyr nga forca të shumta policore, përfshirë praninë e një autoboti me ujë.
Përditësime
Kryeministri Edi Rama njoftoi avancimin në integrimin europian dhe transparencën për një projekt, ndërsa policia shoqëroi një protestues gjatë tubimit të sotëm.