Agjentët e FBI-së kanë realizuar vizita të shpeshta në Kosovë, ku kanë mbajtur takime me zyrtarë të institucioneve të sigurisë. Këto aktivitete po konsiderohen si sinjal i qartë strategjik për marrëdhëniet e avancuara mes Kosovës dhe SHBA-ve, duke rritur qëndrueshmërinë dhe sigurinë e brendshme të vendit.
Drejtori i institutit “Octopus”, Arben Fetoshi, ka deklaruar për KosovaPress se ky bashkëpunim konsolidon pozicionin e Kosovës në arkitekturën e sigurisë euroatlantike. Sipas tij, është mesazh i drejtpërdrejtë që demaskon narrativën e Serbisë, e cila përpiqet në vazhdimësi ta paraqes Kosovën si burim destabilizimi në rajon.
Fetoshi ka theksuar se ky hap tejkalon rritjen e kapaciteteve në luftimin e krimit dhe çfarëdo kërcënimi hibrid ndaj Kosovës. Ai ka përmendur ftesën e Presidentit Donald Trump që Kosova të bashkohet me Bordin e Paqes për Gazën, aktin e autorizimit të mbrojtjes kombëtare të SHBA-ve, që mbron sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës, si dhe raportin e fundit të BE-së, i cili konfirmon ekspozimin e Kosovës ndaj presioneve hibride të Serbisë.