Edicioni i 88-të i kampionatit shqiptar të futbollit filloi mbrëmjen e 21 gushtit 2026 me një përballje intensive në Shkodër. Pjesa e parë e takimit mes Vllaznisë dhe Skënderbeut u mbyll pa gola, ndërsa spektakli u përqendrua në fraksionin e dytë.
Bekim Balaj zhbllokoi sfidën në minutën e 50-të dhe realizoi sërish në minutën e 54-të, duke i dhënë Vllaznisë një avantazh të dyfishtë. Megjithatë, skuadra e drejtuar nga Julian Ahmataj reagoi shpejt. Janaqi ngushtoi rezultatin në minutën e 57-të me një goditje nga distanca, ndërsa Bismark vulosi barazimin 2-2 në minutën e 75-të.
Në minutën e 88-të, Vllaznia mbeti me 10 lojtarë pas përjashtimit të Dulysse me kartonin e dytë të verdhë. Pavarësisht epërsisë numerike në minutat e fundit, Skënderbeu nuk arriti të gjente golin e fitores. Përballja u zhvillua në një kontekst të vështirë për korçarët, të cilët ende nuk kanë mundësi të regjistrojnë lojtarët e rinj të merkatos për shkak të bllokimit nga FIFA.