Specialistët për Hetimin e Krimeve pranë Komisariatit të Policisë Vlorë kanë finalizuar dy operacione policore, të cilat çuan në arrestimin e dy shtetasve të dyshuar për vjedhjen dhe tentativën për vjedhjen e automjeteve.
Shtetasi Muharrem Dajko, 63 vjeç, u kap në flagrancë nga shërbimet e Policisë teksa po vidhte një automjet tip “Citroen” në lagjen “Pavarësia”. Automjeti është gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale.
Në një operacion tjetër, policia arrestoi Denis Lamaj, 40 vjeç. Ai dyshohet se ka vjedhur një automjet tip “Benz” në fshatin Bishan, të cilin më pas e ka braktisur në qytetin e Orikumit. Sipas hetimeve, ky shtetas dyshohet se ka tentuar të vjedhë edhe një automjet tip “Jeep” disa orë më vonë, po në qytetin e Orikumit.
Strukturat hetimore vijojnë punën për dokumentimin e plotë të veprimtarisë së tyre dhe për zbardhjen e rasteve të tjera të mundshme të vjedhjes. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë për veprime të mëtejshme. Çdo person prezumohet i pafajshëm deri në momentin kur fajësia e tij vërtetohet me vendim gjyqësor të formës së prerë.