Arlinda Zekaj u vra më 25 tetor në Vitomiricë të Pejës. Kunati i saj, Albert Sylaj, është i dyshuar për vrasjen dhe, sipas Policisë, ndodhet në arrati. Më 27 tetor, letra ku Zekaj kishte paralajmëruar institucionet për rrezikun ndaj jetës së saj u ekspozua në sheshin e Pejës, krahas mbishkrimit “Deri kur?”.
Në letrën drejtuar prokurores në Pejë, Zekaj kishte kërkuar ndërhyrje urgjente dhe masa ndaj zyrtarëve që, sipas saj, nuk kishin përmbushur detyrimet për ta mbrojtur. Ajo kishte shkruar: “Uroj të mos vijë dita kur ju dhe institucionet përgjegjëse të detyroheni të jepni llogari vetëm pasi të jetë marrë jeta ime”. Letra ishte dërguar më 22 tetor dhe u bë publike pas vrasjes.
Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist realizoi grafite në Pejë dhe bëri thirrje për mobilizim e protestë kombëtare. Protesta u paralajmërua për 28 tetor, në orën 16:00, në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë, me moton “Vrasja e grave të trajtohet si urgjencë kombëtare”. QIKA zhvilloi gjithashtu një aksion simbolik para Qeverisë së Kosovës, ku vendosi pankartën “Shteti e vrau Arlindën” dhe kërkoi hetimin e institucioneve përgjegjëse.
Në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës, përfaqësues të pushtetit dhe opozitës kërkuan hetim të veprimeve dhe mosveprimeve institucionale. Kryeministri Albin Kurti kërkoi që brenda 72 orëve të rishikohen rastet aktive me rrezik të lartë dhe të përgatitet raport për reagimin institucional në rastin e Zekajt. Ministrja e Drejtësisë Donika Gërvalla tha se Zekaj nuk i ishte drejtuar Qeverisë dhe se ministrja nuk ka kompetencë të shkarkojë prokurorë apo gjyqtarë. Deputetë të opozitës kërkuan transparencë e përgjegjësi, ndërsa disa kërkuan dorëheqje dhe shkarkime. U ngritën edhe propozime për ndryshime ligjore, përfshirë trajtimin e femicidit si vepër të veçantë penale.
Prokuroria Themelore në Pejë kërkoi paraburgim për ish-bashkëshortin e Zekajt, Jeton Sylaj, nën dyshimin për mospërfillje të gjykatës. Sipas Prokurorisë, më 25 tetor, rreth orës 17:58, ai dyshohet se shkeli një vendim gjykate të 16 tetorit, i cili e ndalonte të ushtronte dhunë, ta pengonte Zekajn ose ta kërcënonte. Prokuroria tha se ai dyshohet se e kërcënoi dhe hodhi në oborr rrobat që ajo kishte vendosur në rrobalarëse. Seanca për kërkesën e paraburgimit pritej të mbahej më 27 tetor.
Gjatë kontrollit në shtëpinë e të dyshuarit për vrasjen, Policia sekuestroi një pushkë gjuetie, 153 fishekë, karikatorë, pajisje arme, tri thika, një bajonetë, 115 gëzhoja dhe një sëpatë. Autoritetet nuk kanë sqaruar nëse sendet e sekuestruara lidhen me vrasjen. Kryeprokurori i Shtetit kërkoi raporte të hollësishme nga Prokuroria në Pejë dhe Policia për trajtimin e rastit. Varrimi i Zekajt ishte caktuar për 27 tetor, në orën 15:00, në fshatin Radac.