Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm dhe shefi i UNMIK-ut, Peter Due, ka reaguar lidhur me vrasjen e dyfishtë të ndodhur në fshatin Livoç i Ulët të Gjilanit. Përmes një deklarate, ai dënoi ashpër dhunën me bazë gjinore, duke theksuar se këto akte janë të papranueshme dhe nuk duhet të trajtohen kurrë si çështje private. Ai u bëri thirrje institucioneve të sigurojnë llogaridhënie përmes procesit ligjor.
Ngjarja tragjike ndodhi të premten, ku humbën jetën një grua dhe vëllai i saj, ndërsa një anëtar tjetër i familjes mbeti i plagosur. Sipas të dhënave nga Prokuroria, i dyshuari për kryerjen e veprës është bashkëshorti i viktimës, i cili tashmë ndodhet në prangat e autoriteteve. I plagosuri është identifikuar si djali i xhaxhait të gruas së vrarë.
Pas arrestimit të të dyshuarit, Policia e Kosovës ka ndërmarrë veprime të menjëhershme procedurale, duke kryer bastisje në shtëpitë dhe pronat e tij. Gjatë këtij operacioni janë sekuestruar armë të ndryshme, përfshirë:
- 2 armë të gjata me leje të skaduar
- 1 pistoletë pa leje
- 1 armë pneumatike
- 520 fishekë të kalibrave të ndryshëm
- 1600 diabolla për armë pneumatike
Në vendin e ngjarjes, hetuesit policorë kanë gjetur dhe sekuestruar gjithashtu prova të tjera materiale, si 4 fishekë, 21 gëzhoja dhe 5 predha.