Ngjarja tronditëse është regjistruar në zonën La Buitrera, pranë lumit Melendez në Cali, ku viktima Maria Camila Potosi u gjet e pajetë më 20 korrik, katër ditë pasi ishte raportuar e zhdukur. Sipas raporteve, trupi i saj mbante të paktën katër plagë të shkaktuara nga thika dhe foshnja ishte nxjerrë nga barku.
Hetimet e policisë zbardhën se Potosi ishte parë për herë të fundit më 16 korrik, në orën 16:16, duke u larguar me motoçikletë në shoqërinë e një gruaje ende të paidentifikuar me emër. Kjo e fundit dyshohet se ishte paraqitur më herët në shtëpinë e familjes së partnerit të viktimës në Melendez, duke u prezantuar si shoqe e saj. Më 24 korrik, familjarët e së dyshuarës e dorëzuan atë te autoritetet pasi e njohën në pamjet e kamerave të sigurisë.
Ish-partneri i së dyshuarës, Carlos Rincon, deklaroi për autoritetet se gruaja nuk ishte kthyer në shtëpi natën e zhdukjes së Potosit dhe se më parë ajo kishte bërë pretendime të rreme për shtatzëni. Megjithatë, autoritetet ende nuk kanë konfirmuar një lidhje të drejtpërdrejtë të saj me nxjerrjen dhe zhdukjen e foshnjës.
Komandanti i Policisë së Cali-t, Herbert Benavides, ka konfirmuar se e dyshuara është vënë nën akuzë dhe se hetuesit po kërkojnë të paktën katër persona të tjerë që mund të jenë përfshirë në krim. Prokuroria kolumbiane ka nisur procedime për veprat penale të vrasjes së rëndë, zhdukjes me forcë, torturës së rëndë dhe fshehjes së provave. Deri më tani, nuk ka të dhëna zyrtare mbi fatin apo vendndodhjen e foshnjës.