Ngjarja e rëndë u regjistrua në fshatin Mgull, pjesë e Njësisë Administrative Pult në Dukagjin. Sipas njoftimeve zyrtare, shtetasit Lekë Gjoni dhe Prelë Gjoni kanë humbur jetën si pasojë e të shtënave me armë zjarri. Në të njëjtin incident mbeti i plagosur rëndë edhe një shtetas tjetër.
Pas marrjes së njoftimit për ngjarjen, e cila raportohet të ketë ndodhur rreth orës 17:20, forca të shumta të Policisë Vendore dhe të Forcës Kombëtare të Sigurisë të Njësisë Shkodër janë nisur drejt zonës. Ndërhyrja në vendngjarje vështirësohet nga terreni i thellë malor dhe largësia e konsiderueshme nga qyteti i Shkodrës, si dhe nga mungesa e sinjalit telefonik në disa pjesë të zonës.
Autoritetet kanë ngritur një grup të posaçëm hetimor, i cili po punon për të dokumentuar provat, për të zbardhur dinamikën e krimit dhe për të identifikuar autorët e përfshirë. Deri në këto momente, motivet e këtij incidenti mbeten të paqarta, ndërsa policia vijon veprimet hetimore për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje tragjike që tronditi zonën e Dukagjinit.
Përditësime
Policia e Shkodrës identifikoi shtetasin Lazër Bashi si personin e tretë të përfshirë në ngjarje, i cili mbeti i plagosur rëndë. Autoritetet vijojnë punën për sqarimin e rrethanave të këtij incidenti të armatosur.
Gjendja shëndetësore e shtetasit Lazër Bashi, i mbijetuari i ngjarjes në Dukagjin, është përkeqësuar ndjeshëm, njoftojnë burime mjekësore. Ndërkohë, Policia e Shtetit ka konfirmuar zyrtarisht se vendngjarja ku humbën jetën Lekë Gjoni dhe Prelë Gjoni ndodhet në Njësinë Administrative Pult.