Anëtari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Xhavit Haliti, ka deklaruar se subjekti i tij politik nuk ka vendosur vija të kuqe për bashkëqeverisje me asnjë parti tjetër, duke përfshirë edhe Lëvizjen Vetëvendosje. Sipas Halitit, për një koalicion të mundshëm kërkohen bisedime serioze, të cilat duhet të jenë në përputhje me kërkesat e PDK-së.
Në një prononcim për televizionin Tëvë1, Haliti vlerësoi se për stabilitetin politik dhe institucional të vendit, nevojitet një qeveri me mandat të plotë. Lidhur me mundësinë e një koalicioni të partive opozitare, ai u shpreh se ende nuk ka pasur bisedime konkrete dhe shfaqi skepticizëm se një qeveri e tillë do të mund të garantonte stabilitet afatgjatë.
Duke komentuar rezultatet e zgjedhjeve të 7 qershorit, ku PDK u rendit e dyta me 21.12% të votave, Haliti pranoi se pritshmëritë e partisë ishin më të larta. Ai kritikoi Lëvizjen Vetëvendosje për shpërndarjen e 200 milionë eurove në prag të zgjedhjeve, duke e cilësuar këtë si një faktor që ka ndikuar në procesin zgjedhor dhe votimin e pavarur.
Sa i përket pjesëmarrjes së qytetarëve në votime, e cila sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) ishte 36.88%, krahasuar me 44.99% në zgjedhjet e kaluara, Haliti identifikoi si shkaktarë kryesorë zgjedhjet e shpeshta dhe motin e favorshëm, që nxiti udhëtimet jashtë vendit.