Një zyrtar i qeverisë siriane i tha Sky News-it se kampi Al-Hol, në verilindje të Sirisë, është pothuajse i zbrazur. Arratisjet vazhduan edhe pasi shteti mori kontrollin e kampit muajin e kaluar, duke kaluar nga autoritetet kurde (SDF) nën menaxhimin e Damaskut.
Kampi strehonte dhjetëra mijëra gra dhe fëmijë të lidhur me luftëtarë të dyshuar të ISIS, si dhe sirianë e irakianë të zhvendosur nga lufta. Në kulmin e tij pas vitit 2019, numri i banorëve arriti në rreth 73 000. Më vonë, sipas të dhënave, ishin rreth 24 000 banorë, përfshirë mbi 6 000 të huaj nga 40 vende.
Burime raportojnë se në kamp ishin të paktën 22 shqiptarë, kryesisht gra dhe fëmijë, të cilët tani janë larguar. Ndër ta, e reja Eva Dumani u kthye në Shqipëri pas 12 vitesh, duke u bashkuar me nënën dhe vëllain.
Fadi al-Qassem, përfaqësues i Ministrisë së Jashtme siriane për administrimin e kampit, shpjegoi se kur ushtria mbërriti, kampi ishte kryesisht i zbrazur: rojet kishin larguar dhe portat ishin të hapura. Qeveria trashëgoi regjistra të pasakta, dokumente të falsifikuara dhe rrjete kontrabande, duke e vështirësuar identifikimin e banorëve.
Autoritetet po bashkëpunojnë me partnerë ndërkombëtarë, përfshirë UNHCR-në, për të identifikuar të larguarit jashtë kanaleve zyrtare. Agjencia e OKB-së konfirmoi rënie të ndjeshme të numrit të banorëve dhe po mbështet planin për zhvendosjen e familjeve të mbetura në kampe të reja në provincën e Alepos. Evakuimi i banorëve të mbetur filloi të martën dhe pritet të përfundojë brenda një jave.
Përditësime
Gonzalo Vargas Llosa, përfaqësuesi i UNHCR në Siri, deklaroi se autoritetet lokale planifikojnë zhvendosjen e familjeve të mbetura dhe kërkojnë mbështetje për kampet e reja.
Burime të Report TV konfirmojnë të paktën 22 shqiptarë në kamp.