Autoritetet policore në Athinë kanë ndërhyrë në një banesë në lagjen Kypseli, pasi pronari i një apartamenti të dhënë me qira përmes platformës Airbnb ka njoftuar forcat e rendit. Pronari raportoi se qiramarrësit refuzonin të largoheshin nga banesa dhe dyshoi për përdorimin e lëndëve narkotike brenda saj. Patrullat e skuadrës DIAS, të cilat ndodheshin në zonë, u shoqëruan nga pronari në apartament për të kryer kontrollet e nevojshme.
Në banesë janë gjetur një burrë me origjinë greke, vajza e tij 15-vjeçare, një shtetas afgan, si dhe dy të mitur të tjerë dhe një grua gjermane. Policia ka sekuestruar dy valixhe nga ambienti i banimit dhe i ka transportuar ato në komisariat për verifikim të mëtejshëm. Gjatë hapjes së tyre, efektivët kanë gjetur brenda një ene trupin e pajetë të një foshnjeje. Gruaja gjermane, e cila kishte bërë më herët një kallëzim në polici, dyshohet të ketë deklaruar për hetuesit se foshnja ishte e saj dhe kishte vdekur rreth tetë muaj më parë.
Aktualisht, autoritetet greke kanë nisur një hetim paraprak për të zbardhur rrethanat e plota të ngjarjes, shkaqet e vdekjes dhe mënyrën se si trupi është mbajtur i fshehur. Për rastin është informuar edhe prokuroria. Përveç këtij fakti, hetimet janë përqendruar edhe në një informacion tjetër të lidhur me banesën, sipas të cilit vajza 15-vjeçare që ndodhej në apartament dyshohet se është shtatzënë, ndërsa babai i fëmijës dyshohet të jetë shtetasi afgan i pranishëm në banesë.
Përditësime
Pronari i apartamentit në Kypseli ndaloi një patrullë të skuadrës DIAS për të kërkuar ndërhyrjen e tyre, pasi qiramarrësit refuzonin të largoheshin nga banesa. Policia ndërhyri me dyshime për mosrespektim të kontratës së Airbnb dhe përdorim të lëndëve narkotike, moment në të cilin zbuloi trupin e foshnjës. Autoritetet konfirmuan se konflikti pronësor ishte shkaku i thirrjes së forcave të rendit në vendngjarje.