Një operacion antidrogë i ndërmarrë nga karabinierët në provincën e Latinës, në Itali, ka çuar në zbulimin e një rafinerie të kokainës të ngritur brenda një vile. Aksioni ka rezultuar me arrestimin e pesë personave, të cilët akuzohen për prodhim, përpunim dhe posedim të lëndëve narkotike. Grupi përbëhet nga një shtetas shqiptar, dy italianë, një holandez dhe një kolumbian. Të arrestuarit janë dërguar në burgun e Latinës dhe ndodhen në dispozicion të autoriteteve gjyqësore.
Hetimet filluan me një kontroll në një banesë në rrugën Pennacchi, ku u sekuestruan 18 pako me rreth 18.2 kilogramë kokainë të gatshme për shitje. Përveç drogës, efektivët gjetën 8.810 euro para të gatshme, një makinë për numërimin e parave, dy orë luksoze, bizhuteri, gjashtë telefona celularë, një kompjuter portativ, shënime mbi aktivitetin kriminal, si dhe sende të tjera, përfshirë një pistoletë me ajër të kompresuar, një shkop teleskopik dhe një pajisje elektroshoku.
Kontrollet e mëtejshme në ambientet e jashtme të pronës çuan në zbulimin e laboratorit, i cili ishte fshehur mes bimësisë së dendur. Brenda tij u gjetën pajisje të specializuara, si:
• Peshorë precize dhe sita
• Furra me mikrovalë
• Makina për paketim me vakum
• Presa për prodhimin e blloqeve të kokainës
Në laborator u gjetën gjithashtu dy kova me kokainë në proces rafinimi, me një peshë totale prej 8.8 kilogramësh (përkatësisht 4.8 kg dhe 4 kg), si dhe 27 thasë me pelet druri, secili me peshë 15 kilogramë. Hetuesit dyshojnë se peleti ishte i ngopur me lëndë narkotike dhe përdorej për procesin e nxjerrjes kimike të drogës. Specialistët e Institutit të Hetimeve Shkencore (RIS) të Romës po kryejnë ekspertizat teknike për të përcaktuar metodën e përpunimit dhe sasinë e saktë të substancës që ishte në proces.