Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, reagoi ndaj kërcënimeve të Iranit për sulme ndaj territorit të saj. Në një intervistë me gazetën The Jerusalem Post, ai komentoi paralajmërimet e bëra nga përfaqësuesit iranianë, si përgjigje ndaj mbështetjes së Kievit për vendet e Lindjes së Mesme.
Zelensky tha se këto mesazhe nuk paraqesin asgjë të re. "Kam dëgjuar gjatë këtyre katër viteve shumë mesazhe të ndryshme", u shpreh ai. I pyetur nëse ka frikë nga këto paralajmërime, presidenti ukrainas u përgjigj se ukrainasit jetojnë me kërcënime të tilla çdo ditë dhe nuk frikësohen nga asnjë lloj mesazhi i tillë.
Ai theksoi se paqëndrueshmëria në Lindjen e Mesme nxitet nga regjimi në Teheran. Megjithatë, sipas tij, shumica dërrmuese e iranianëve, kryesisht civilët, kundërshtojnë luftën dhe dëshirojnë një jetë normale dhe të lirë.
Ministria e Jashtme ukrainase i përshkroi si absurde kërcënimet e kryetarit të komitetit parlamentar të sigurisë kombëtare iraniane, Ebrahim Azizi, për nisjen e sulmeve me raketa ndaj Ukrainës. Deklaratat e Zelenskyt u raportuan nga Ukrinform, siç përcjellin Telegrafi dhe Gazeta Tema.