Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka ndërmarrë ndryshime të rëndësishme në përfaqësimin diplomatik të vendit, duke shkarkuar ambasadorët në Shqipëri, Kroaci dhe Mal të Zi. Vendimet për përfundimin e mandateve janë zyrtarizuar përmes dekreteve presidenciale të datës 6 gusht 2026.
Sipas dokumenteve zyrtare, ndryshimet përfshijnë:
- Vasyl Kyrylych, ambasador në Kroaci (dekret nr. 709/2026).
- Volodymyr Shkurov, ambasador në Shqipëri (dekret nr. 710/2026), i cili e mbante këtë detyrë që nga prilli i vitit 2020.
- Oleh Herasymenko, ambasador në Mal të Zi (dekret nr. 711/2026).
Këto lëvizje vijnë në një periudhë riorganizimi diplomatik, pak ditë pas shkarkimit të ambasadores së Ukrainës në Shtetet e Bashkuara, Olha Stefanishyna, më 3 gusht. Pas shkarkimit, Gjykata e Lartë Kundër Korrupsionit në Ukrainë vendosi ndaj Stefanishynës një masë hetimore me kusht pagesën e një garancie prej 6 milionë hryvni, vlerë kjo që kap shifrën e rreth 134 mijë dollarëve amerikanë.
Autoritetet ukrainase e hetojnë Stefanishynën për dyshime mbi pasurimin e paligjshëm dhe deklarim të rremë të pasurisë. Në deklarimet e saj publike, ajo ka pohuar se nuk disponon mjete të mjaftueshme financiare për të shlyer garancinë e kërkuar nga gjykata.