Një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë zonën rezidenciale të Krokstadelva në komunën Drammen, rreth 34 kilometra në jugperëndim të kryeqytetit Oslo. Flakët shpërthyen të premten rreth orës 15:30 në një kompleks banesash dhe, të favorizuara nga erërat e forta, terreni i pjerrët dhe temperaturat e larta, u përhapën me shpejtësi drejt zonave përreth dhe pyjeve.
Drejtoria Norvegjeze për Mbrojtjen Civile e ka klasifikuar ngjarjen si zjarrin më të madh të këtij lloji në historinë moderne të vendit. Në operacionin për shuarjen e flakëve janë angazhuar mbi 100 zjarrfikës, forca policore, ushtria dhe mjete ajrore. Deri më tani, rreth 400 banorë janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre, ndërsa qindra janë strehuar në qendra të posaçme evakuimi.
Sipas informacioneve zyrtare, nuk ka raportime për persona të zhdukur. Një pjesëtar i shërbimeve të emergjencës ka pësuar lëndime të lehta, ndërsa një numër i paspecifikuar banorësh kanë marrë ndihmë mjekësore për shkak të thithjes së tymit. Hetimet për zbardhjen e shkaqeve të sakta të zjarrit janë duke vazhduar, ndërsa dyshimet paraprake tregojnë se flakët mund të kenë nisur nga një apartament përpara se të përhapeshin në kompleksin e banesave rreshtore.