Kanadaja po përballet me një situatë të vështirë nga zjarret masive pyjore, të cilat kanë detyruar autoritetet të ndërmarrin operacione urgjente evakuimi. Ministrja e Situatave të Emergjencave, Eleanor Olszewski, bëri të ditur se ushtria po përdor mjete ajrore për të larguar banorët e Fort Hope, një zonë në veriperëndim të Ontarios me infrastrukturë rrugore të kufizuar.
Sipas të dhënave nga Ministria Federale e Burimeve Natyrore të Kanadasë, deri më tani është djegur një sipërfaqe prej rreth 28,500 kilometrash katrorë. Megjithëse ky tregues mbetet nën mesataren e pesë viteve të fundit, përhapja e tymit është bërë burim shqetësimi ndërkombëtar. Agjencia amerikane për Mbrojtjen e Mjedisit (EPA) ka lëshuar paralajmërime shëndetësore për shtete si Pensilvania, Nju Xhersi, Virxhinia, Merilend, Delauer dhe Uashington.
Në zona të caktuara të Pensilvanisë lindore, përfshirë qytetin e Pitsburgut, cilësia e ajrit është klasifikuar si "shumë e pashëndetshme". Specialistët e klimës vlerësojnë se frekuenca e lartë e këtyre ngjarjeve është pasojë e temperaturave të larta dhe periudhave të zgjatura të thatësirës, të cilat krijojnë kushte të favorshme për shpërthimin e flakëve.