Zjarret që kanë përfshirë periferinë e Madridit kanë prekur objektet e NASA-s në Spanjë. Një zëdhënës i agjencisë amerikane konfirmoi për agjencinë AFP se flakët “kaluan përmes” Kompleksit të Komunikimeve Hapësinore të Madridit (MDSCC), një stacion kyç për misionet që eksplorojnë hapësirën e thellë.
Sipas njoftimit zyrtar të NASA-s, evakuimi i stafit u krye në kohë dhe nuk raportohet për persona të lënduar. Vlerësimi i dëmeve materiale do të fillojë sapo kushtet e sigurisë të lejojnë hyrjen e ekipeve të specializuara në ambientet e kompleksit.
MDSCC shërben si një stacion strategjik dhe është pjesë e Rrjetit të Hapësirës së Thellë (DSN), i cili përbëhet nga tri qendra kryesore në botë:
- Madrid, Spanjë
- Goldstone, Kaliforni, SHBA
- Kanberra, Australi
Vendosja e këtyre tri stacioneve është projektuar që, për shkak të rrotullimit të Tokës, të sigurojë lidhje të vazhdueshme me anijet kozmike, duke garantuar komunikimin e pandërprerë me misionet në hapësirën e thellë.