Analisti Preç Zogaj, i ftuar në emisionin "Triolog", e cilësoi protestën e fundit të Partisë Demokratike si më të madhën e kësaj force politike pas zgjedhjeve të 11 majit.
Sipas tij, kjo protestë nuk e rrëzon qeverinë, pasi mungojnë rrethana të tjera që do ta çonin vendin drejt një krize politike. "Protestat e opozitës janë protesta politike që i organizon një parti, ku flasin liderët e saj dhe njerëzit vijnë me autobusë të organizuar nga partia. Këto protesta nuk arrijnë kurrë të shkaktojnë zgjedhje të parakohshme ose të rrëzojnë qeverinë", tha Zogaj.
Ai përmendi se janë shënuar vetëm dy raste për krijimin e një qeverie teknike, të dyja me komponent popullor masiv dhe gjithëpërfshirës, të shtrira jo vetëm në Tiranë, por edhe në qytete të tjera.
"Kjo protestë e PD-së është më e madhja e kësaj partie pas zgjedhjeve të majit", u shpreh Zogaj, duke shtuar se një parti e madhe ka mundësi të mbledhë turma të tilla, por protestat popullore që krijojnë krizë politike dallojnë nga ato partiake. Opozita ka 30 vjet që i kthehet vazhdimisht këtij stili, pavarësisht tentativave për ndryshim.