Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë, në dosjen finale të çështjes së njohur si rasti "12", ka kërkuar dënimin e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, me 6 vjet burgim për vepra që lidhen me pengimin e drejtësisë. Ky proces ka përfunduar më 14 shtator, ndërsa gjykata ende nuk ka njoftuar datën për shpalljen e aktgjykimit.
Një element thelbësor i kërkesës së ZPS-së është trajtimi i kohës së kaluar në paraburgim. Prokuroria argumenton se periudha e paraburgimit nuk duhet të zbritet nga dënimi i mundshëm në këtë çështje, por vetëm nga dënimi prej 25 vjetësh i shqiptuar në rastin kryesor më 16 shtator. Duke iu referuar praktikës së Dhomës së Apelit në çështjen Bemba et al., prokuroria pretendon se koha e kaluar në paraburgim për shkak të fletarrestimeve të ndryshme mund të llogaritet vetëm një herë. Organi i akuzës thekson se ky interpretim është i nevojshëm për të ruajtur efektin parandalues të dënimeve penale.
Në rast se kërkesa e prokurorisë pranohet, shuma e përgjithshme e dënimeve për Hashim Thaçin do të shkonte në 31 vjet. Mbrojtja, e përfaqësuar nga avokatja Sophie Menegon, ka kundërshtuar këto pretendime gjatë fjalës përfundimtare të mbajtur më 10 shtator, duke kërkuar pafajësinë e klientit të saj dhe duke vlerësuar se akuzat bazohen në interpretime të paprovuara të bisedave të zhvilluara në qendrën e paraburgimit.
Krahas ish-presidentit, prokuroria ka kërkuar dënime edhe për të akuzuarit e tjerë në rastin "12":
• Bashkim Smakaj: 3 vjet burgim
• Isni Kilaj: 3 vjet burgim
• Fadil Fazliu: 3 vjet burgim
• Hajredin Kuçi: 9 muaj burgim
Avokatët mbrojtës të të pandehurve të tjerë kanë kërkuar gjithashtu lirimin e tyre nga akuzat, duke kundërshtuar argumentet e prokurorisë.