Sot shënohen 11 vjet nga votimi historik në Kuvendin e Kosovës, i cili mundësoi themelimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar. Në seancën e mbajtur më 3 gusht 2015, deputetët miratuan ndryshimet kushtetuese me 82 vota pro, 5 kundër dhe 1 abstenim.
Procesi i krijimit të këtij institucioni u shoqërua me debate të ashpra. Opozita e kohës e kundërshtoi nismën, duke e cilësuar atë si një proces të padrejtë dhe selektiv që cenonte sovranitetin e shtetit. Nga ana tjetër, përfaqësuesit e pozitës argumentuan se votimi ishte një hap i domosdoshëm për të pastruar dyshimet mbi pretendimet për krime të kryera nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës gjatë luftës së fundit.
Zhvillimet gjyqësore në Hagë
Ndonëse këto institucione janë pjesë e sistemit të drejtësisë së Kosovës, ato funksionojnë me staf ndërkombëtar dhe e zhvillojnë veprimtarinë në Holandë. Prokuroria ka ngritur aktakuza ndaj disa prej figurave kryesore të periudhës së luftës. Aktualisht, procesi gjyqësor vazhdon për Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.
Deri më tani, gjykata ka shpallur disa vendime të formës së prerë:
• Salih Mustafa është dënuar me 15 vjet burgim për krime lufte.
• Pjetër Shala është dënuar me 13 vjet burgim.
• Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj u shpallën fajtorë për pengim të administrimit të drejtësisë dhe e kanë përfunduar vuajtjen e dënimit.