16-vjeçari Arjon Xhezairi ndërroi jetë në Spitalin e Traumës në Tiranë, pasi nuk u mbijetoi plagëve të marra në një aksident me çiklomotor në Lezhë. Aksidenti ndodhi më 26 tetor, rreth orës 14:25, në aksin rrugor dytësor Balldre–Rraboshtë, teksa ai po kthehej nga shkolla.
Sipas të dhënave paraprake të policisë, i mituri dyshohet se humbi kontrollin mbi çiklomotorin dhe u rrëzua, duke pësuar dëmtime të rënda trupore. Në vendngjarje iu dha ndihma e parë mjekësore, më pas ai u transportua me urgjencë në Spitalin e Traumës në Tiranë për trajtim të specializuar. Burimet raportojnë se ndërroi jetë më 2 nëntor, pas disa ditësh në spital.
Gjimnazi “Hydajet Lezha”, ku Xhezairi ishte nxënës, publikoi një mesazh ngushëllimi. Drejtoria, stafi arsimor dhe nxënësit shprehën pikëllimin për humbjen e tij dhe ngushëllimet për familjen, të afërmit e miqtë.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, vijon veprimet procedurale për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe shkaqeve të aksidentit.