26 organizata mjedisore kombëtare dhe lokale i kanë dërguar një letër të hapur qeverisë shqiptare më 24 shkurt 2026, duke shprehur shqetësim për ndërhyrjet në shtratin dhe brigjet e lumit Shkumbin. Këto ndërhyrje lidhen me punimet për ndërtimin e rrugës nacionale Elbasan-Librazhd-Bushtricë, pjesë e Korridorit VIII.
Bazuar në vëzhgime në terren, dokumente teknikë, foto dhe raporte nga komunitetet lokale, organizatat kanë evidentuar ndryshime në morfologjinë e lumit, nxjerrje të materialeve inerte nga shtrati dhe brigjet, si dhe depozitime të materialeve të gërmimit pranë ose brenda trupit ujor. Sipas tyre, këto veprime mund të ndikojnë në cilësinë e ujit, biodiversitetin, stabilitetin e brigjeve dhe ekuilibrin e ekosistemit lumor.
Letra drejtohet kryeministrit Edi Rama, ministrit të Mjedisit Sofjan Jaupaj dhe institucioneve përgjegjëse për menaxhimin e burimeve ujore dhe monitorimin mjedisor. Organizatat kërkojnë verifikim të plotë të ligjshmërisë së këtyre veprimeve dhe ndërhyrje të menjëhershme.
Konkretisht, kërkesat përfshijnë:
- Inspektim urgjent në terren nga institucionet kompetente dhe publikim të një raporti zyrtar me gjetje dhe masa;
- Verifikim të përputhshmërisë së ndërhyrjeve me lejet për përdorim të burimit ujor dhe kushtet e Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis;
- Monitorim të cilësisë së ujit dhe sedimenteve në segmentet e prekura;
- Hartim dhe zbatim të një plani rehabilitimi për zonat e dëmtuara;
- Transparencë të plotë mbi dokumentacionin, vendimet dhe kushtet e lejeve.
Organizatat theksojnë se përdorimi i materialeve inerte lumore duhet të respektojë standardet teknike dhe ligjore. Çdo devijim rrezikon pasoja afatgjata mjedisore dhe territoriale, të dukshme tashmë dhe potencialisht më të mëdha në të ardhmen.