Departamenti i Kontrollit të Brendshëm dhe Hetimeve Kriminalistike pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB) ka dorëzuar kallëzime penale në Prokurorinë Themelore Publike Shkup ndaj 27 personave. Mes të dyshuarve është një punonjëse e Njësisë së Çështjeve Administrative, e cila akuzohet se në periudhën 3 shtator 2020 deri më 24 gusht 2026 ka shfrytëzuar kodin e saj zyrtar për të ndërhyrë në sistemin elektronik të dhënies së patentave.
Sipas hetimeve, punonjësja krijonte kërkesa me përmbajtje të pavërtetë duke shtuar kategori për të cilat aplikuesit nuk i plotësonin kriteret ligjore. Në këtë skemë janë përfshirë katër ndërmjetësues, të cilët kanë lidhur personat e interesuar me punonjësen e ministrisë. Qytetarët, kundrejt pagesave që shkonin deri në 1.400 euro, pajiseshin drejtpërdrejt me kategoritë përkatëse, duke anashkaluar trajnimin dhe testimin.
Hetimet kanë konfirmuar se për 21 persona janë lëshuar patenta me kategori të falsifikuara, ndërsa në një rast veprimi ka mbetur në tentativë. E punësuara në MPB, e cila ishte rikthyer në detyrë më 15 janar 2025 pas një pezullimi të mëparshëm, akuzohet për 22 vepra penale të "Falsifikimit të dokumentit" sipas nenit 378 të Kodit Penal. Gjashtë nga personat e përfshirë i kanë përdorur dokumentet për kalimin e kufirit, ndërsa dy prej tyre i kanë përdorur edhe për marrjen e certifikatave të kompetencës profesionale në Ministrinë e Transportit.
Prokuroria Themelore Publike Shkup ka shtrirë kontrollet në 32 lokacione, përfshirë shtëpi private dhe ambiente zyrtare, për të mbledhur prova shtesë në lidhje me këtë rast të gjerë keqpërdorimesh administrative.