Sot shënohen 28 vjet nga rënia e komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Ismet Jashari, i njohur si Komandant Kumanova. I lindur më 16 prill 1967 në fshatin Orizare të Kumanovës, Jashari ishte një ndër themeluesit e fondit "Vendlindja thërret", i cili mbështeti logjistikisht dhe financiarisht luftën çlirimtare. Pas Epopesë së Prekazit, më 11 mars 1998, ai hyri në Kosovë dhe u vendos në bazën e Likocit në Drenicë, për t'u caktuar më pas në zonën e Llapushës me vendim të Shtabit të Përgjithshëm.
Ngjarjet e 25 gushtit 1998 lidhen me betejën në Luzhnicë, ku Ismet Jashari ndërmori një kundërsulm për të nxjerrë trupat e bashkëluftëtarëve Afrim Buçaj dhe Gani Kastrati, të cilët kishin rënë një ditë më parë. Në këto luftime, krahas Jasharit, humbën jetën edhe Nuhi Mazreku dhe Habib Zogaj. Rezistenca e organizuar në Bajrak të Luzhnicës shënoi një moment kyç në mbrojtjen e zonës së Kleçkës përballë forcave armike.
Në një mesazh përkujtimor, ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, vlerësoi lart figurën e Komandant Kumanovës, duke e cilësuar si simbol të guximit dhe pathyeshmërisë. Ajo theksoi se liria e vendit mban brenda saj peshën e sakrificës së bijve dhe bijave nga të gjitha trevat shqiptare. Trupi i Ismet Jasharit prehet në kompleksin e Varrezave të Dëshmorëve në Kleçkë, ku nderohen edhe 66 dëshmorë të tjerë të Brigadës 121, e cila pas rënies së tij mban emrin "Ismet Jashari-Kumanova".