Në Shqipëri, për zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2025, KQZ ka regjistruar zyrtarisht 38 parti politike, prej të cilave 26 u bashkuan koalicionit opozitar të kryesuar nga Sali Berisha.
Edhe pse 2025 ishte vit zgjedhor, shumica e këtyre partive kanë deklaruar bilanc zero ose shifra minimale në raportet financiare të dorëzuara në KQZ.
Partia Aleanca e Maqedonasve për Integrimin Evropian, me kryetar Vasil Sterjovski, ka raportuar zero aktivitet, duke deklaruar se nuk ka as NIPT e as llogari bankare.
Partia Aleanca për Barazi dhe Drejtësi Evropiane, e udhëhequr nga Valentino Mustaka, ka dërguar një shkresë në KQZ, ku shpjegon se ndodhet në status pasiv: «Ju informojmë përsëri se ne jemi me statusin pasiv, por po ju dërgojmë këtë bilanc sepse sado që ne themi se jemi me statusin pasiv, ju përsëri dërgoni 'auditues' duke mos njohur ligjet!».
Partia Komuniste ka paraqitur raportin për vitin 2024 në vend të 2025-së, me 573 mijë lekë të ardhura nga anëtarët dhe shpenzime të barabarta.
Partia Popullore Kristiandemokrate e Shqipërisë ka bilanc zero, me selinë qendrore në Shkodër.
Bashkimi Liberal Demokrat, me kryetar Arjan Starova dhe adresë pranë qendrës së Tiranës, ka deklaruar 3.5 milionë lekë të ardhura dhe shpenzime.
Partia Ligj dhe Drejtësi, e udhëhequr nga avokati Spartak Ngjela, ka dorëzuar raportin financiar më 31 dhjetor 2025, bashkë me proces-verbale dhe inventarizim të pajisjeve në zyrë.