Klodjan Ndoj, 47 vjeç, u ndalua në pikën kufitare të Rinasit teksa tentonte të largohej nga Shqipëria, njoftoi Policia më 23 tetor. Ai ishte shpallur në kërkim, pasi akuzohet se në korrik plagosi me armë zjarri një 22-vjeçar në fshatin Sanxhak dhe i vodhi automjetin.
Sipas njoftimit të Policisë, ndalimi u bë pas koordinimit mes specialistëve për Hetimin e Krimeve të Rënda, shërbimeve të Komisariatit të Policisë Kurbin dhe Policisë Kufitare në Rinas. Ndoj banon në fshatin Sanxhak, në Kurbin.
Policia thotë se ngjarja ndodhi gjatë një konflikti për motive të dobëta. I plagosuri, Veron Pasha, 22 vjeç, u dërgua në spital më 25 korrik, rreth orës 19:00, me plagë në këmbë dhe ishte jashtë rrezikut për jetën. Sipas hollësive të publikuara nga NOA, pas plagosjes, i dyshuari u largua duke marrë automjetin e të riut nën kërcënimin e armës. Gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes u sekuestruan dy gëzhoja.
Në gusht, Gjykata e Lezhës i caktoi Ndojt masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje”, “Vjedhja” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”. Policia njoftoi se materialet procedurale iu referuan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.