Lumir Abdixhiku, kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), njoftoi për takimet e zhvilluara dje dhe sot me ambasadorin italian Maurizio Antonini dhe atë gjerman Rainer Rudolph.
Ai pranoi po ashtu urime për Kuvendin e LDK-së nga ngarkuata me punë e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara, Anu Prattipati, dhe ambasadori britanik Jonathan Hargreeves.
Në postimin në Facebook, Abdixhiku shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme që SHBA, Mbretëria e Bashkuar, Gjermania dhe Italia i kanë dhënë LDK-së dhe Kosovës në fazat e shtetndërtimit, konsolidimit demokratik dhe integrimit euroatlantik. "Këta partnerë mbeten aleatë të rëndësishëm të Republikës së Kosovës dhe mbështetës të demokracisë së saj", shkroi ai.
Gjatë takimeve me ambasadorët gjerman dhe italian, Abdixhiku diskutoi zhvillimet politike aktuale, qëndrimin e LDK-së ndaj situatës dhe nevojën për formimin sa më të shpejtë të institucioneve të reja dhe funksionale në përputhje me vullnetin qytetar dhe parimet demokratike.
"Në të dyja rastet theksova nevojën urgjente për stabilitet institucional, përgjegjësi politike dhe veprime konkrete që u shërbejnë qytetarëve të Kosovës, zhvillimit ekonomik dhe mirëqenies shoqërore", deklaroi Abdixhiku.
Kjo vjen pas votëbesimit në Kuvendin e LDK-së që ai mbijetoi.