Lumir Abdixhiku, kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), ka pritur në zyrën e tij ambasadorin e Gjermanisë në Prishtinë, Rainer Rudolph.
Gjatë takimit u trajtuan zhvillimet aktuale politike në Kosovë, situata paszgjedhore dhe qëndrimi i LDK-së ndaj tyre. Abdixhiku theksoi domosdoshmërinë për formimin sa më të shpejtë të institucioneve të reja, stabile dhe funksionale.
Ai vuri në pah nevojën urgjente për stabilitet institucional dhe përgjegjësi politike, duke nënvizuar pritjet e qytetarëve për një shtet që u shërben atyre, garanton zhvillim të qëndrueshëm dhe mirëqenie sociale.
Abdixhiku shprehu mirënjohje të veçantë për përkrahjen e vazhdueshme të Gjermanisë ndaj Kosovës, duke e cilësuar atë si partnere kyçe dhe aleate të rëndësishme në të gjitha fazat e zhvillimit dhe konsolidimit demokratik të Republikës së Kosovës.
Takimi u vlerësua si pjesë e komunikimit të rregullt me partnerët ndërkombëtarë për tejkalimin e sfidave politike dhe forcimin e institucioneve demokratike.