Sektori shtetëror në Shqipëri regjistroi një shtesë prej 2,956 punonjësish gjatë vitit 2025, duke e çuar numrin total në 185,386 të punësuar. Analiza e këtyre shifrave nxjerr në pah një ndryshim të strukturës së administratës, e cila po bëhet më hierarkike përmes rritjes së numrit të pozicioneve drejtuese.
Kategoria e "ligjvënësve, nëpunësve të lartë dhe drejtuesve" arriti në 24,244 persona në vitin 2025, duke shënuar një rritje prej 18% brenda një viti dhe mbi 43% krahasuar me vitin 2021. Ndërkohë, specialistët vazhdojnë të përbëjnë grupin më të madh në administratë me 77,465 punonjës.
Në anën tjetër, të dhënat pasqyrojnë një tkurrje të dukshme në rolet mbështetëse:
• Teknikët dhe ndihmës specialistët u ulën me 7.3%, duke zbritur në 32,773 persona.
• Nëpunësit e thjeshtë ranë në 11,465 persona, një ulje prej 25% krahasuar me vitin 2021.
Sipas analizave, kjo zhvendosje drejt roleve menaxheriale dhe rritja e numrit të punëtorëve në 39,439 persona vjen si pasojë e ristrukturimit të administratës. Automatizimi dhe digjitalizimi i shërbimeve kanë ndikuar në zëvendësimin e detyrave administrative dhe teknike me sisteme të reja, duke ndryshuar nevojat për personel në institucionet publike.