Një tragjedi ajrore ka ndodhur të premten pasdite në Kroaci, ku një aeroplan i vogël me dy vende u rrëzua në zonën malore të Parkut Kombëtar Paklenica, rreth 60 kilometra në verilindje të qytetit të Zadarit. Avioni ishte nisur nga Republika Çeke dhe kishte humbur kontaktet me autoritetet pak pas orës 16:00, sipas kohës lokale.
Menjëherë pas dhënies së alarmit, u organizua një operacion i gjerë kërkim-shpëtimi në zonën malore ku dyshohej se kishte humbur kontakti. Pas disa orësh kërkimesh, ekipet e shpëtimit gjetën rrënojat e aeroplanit brenda perimetrit të parkut. Forcat policore përfunduan operacionin në terren rreth orës 22:00, duke konfirmuar se dy personat që ndodheshin në bord nuk kishin mbijetuar.
Identiteti i viktimave nuk është bërë ende publik nga autoritetet kroate. Ndërkohë, institucionet përkatëse kanë nisur një hetim zyrtar për të përcaktuar rrethanat dhe shkaqet teknike apo njerëzore që çuan në rrëzimin e mjetit fluturues.