Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës njofton nisjen e operimeve të dy destinacioneve të reja nga Ryanair, që lidhin Tiranën me Liverpool dhe Dublin. Ky zgjerim ndodhi më 4 prill 2026 dhe u shënua me evente të dedikuara në aeroport, ku morën pjesë përfaqësues të aeroportit, të Ryanair-it dhe pasagjerë.
Të dyja linjat operohen dy herë në javë, duke ofruar fleksibilitet më të madh dhe lidhje të përmirësuara me qytete evropiane të rëndësishme. Këto destinacione rrisin aksesin drejt tregjeve kyçe, më shumë zgjedhje për pasagjerët, frekuenca të shtuara dhe tarifa konkurruese. Ato mbështesin rritjen e udhëtimeve hyrëse e dalëse, turizmin dhe zhvillimin ekonomik.
Znj. Manjola Kaso, Drejtoreshë e Zhvillimit të Biznesit të Aviacionit në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës, deklaroi: «Çelja e sezonit veror 2026 sjell dy destinacione të reja drejt Liverpool dhe Dublin. Liverpool shënon një hap tjetër të rëndësishëm në zgjerimin e rrjetit tonë dhe forcimin e lidhjeve ajrore me Mbretërinë e Bashkuar, një nga tregjet kryesore të TIA-s me shumë rëndësi për turizmin, por edhe për mbështetjen e diasporës së konsiderueshme nga Shqipëria dhe rajoni. Dublini është lidhja jonë e parë me Irlandën, duke shënuar kështu hapjen e një tregu krejtësisht të ri. Dy destinacionet reflektojnë kërkesën në rritje për udhëtime dhe partneritetin e fortë që po ndërtojmë me Ryanair.»
Aeroporti vazhdon bashkëpunimin e ngushtë me partnerët ajrorë për të zgjeruar rrjetin e destinacioneve, duke ofruar më shumë mundësi udhëtimi dhe duke ruajtur standarde të larta operacionale.