Klubi i futbollit AF Elbasani ka njoftuar vendimin për të tërhequr përfundimisht nga përdorimi fanellën me numrin 27, si një gjest respekti dhe mirënjohjeje të përhershme për futbollistin Fatjon Bunjaku. Ky vendim vjen pas ndarjes së parakohshme nga jeta të 22-vjeçarit, i cili humbi jetën në një aksident tragjik në aksin Mitrovicë–Vushtrri.
Fatjon Bunjaku kishte një karrierë të pasur, duke u zhvilluar fillimisht te Trepça. Gjatë rrugëtimit të tij sportiv, ai ka qenë pjesë e skuadrave si Liria, Gjilani, Malisheva dhe Phoenix, ndërsa ka pasur edhe një eksperiencë në Kroaci. Së fundi, ai ishte pjesë e skuadrës së AF Elbasanit.
Në nivel përfaqësues, Bunjaku ka veshur fanellën e Kosovës për grupmoshat U19 dhe U21, duke u dalluar si një prej talenteve premtues të futbollit kosovar. Klubi bën me dije se numri 27 do të mbetet përgjithmonë pjesë e trashëgimisë së futbollistit në këtë skuadër.